Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
VeriuPortal

Identiteti evropian i shqiptarëve (1)

Recommended Posts

a_472.jpgADARE

</span>1 Disa vite më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme. Në dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu. Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat ndërhyrëse. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren. Dy vite më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e Shqipërisë së jashtme, Kosovës. 2 Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë. Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën. Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian? S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi! Muzika ngjan si e njohur. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste. Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.

3 E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Letrat e Shqipërisë janë të qarta. Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX. Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.

Share this post


Link to post
Share on other sites
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...