Jump to content
Veriu Forum
Sign in to follow this  
AAAA

Gjurma E Pashlyeshme E Nji Frati Të Madh Shqiptar!!!

Recommended Posts

Gjurma e pashlyeshme e nji frati të madh shqiptar!!!

 

 

 

Në përvjetorin e vdekjes së At Danjel Gjeçajt (Theth 14 tetor 1913-Romë 30 gusht 2002)

 

P. Danjel Gjeçaj pat lind në Theth të Dukagjinit me 14 tetor 1913, gjuhën shqipe e mësimet e fesë i mori s’parit prej famullitarit të vet, P. Dedë Bërdicës, e ndoshta tue pa fratin e Thethit i erdhi edhe dëshira për me veshë zhgunin e Sh’Françeskut.

Në 1924 djaloshi dukagjinas ra në Shkodër, tue u bâ nxânës i kolegjës françeskane, e cila mâ vonë do t’a kishte nëndrejtor të vlertë të vetin, të drejtë e të rreptë, me nji kujdes e nji mendim të vetëm në zemër: të mirën e të ardhmen e dishepujve të vet të vogjël.

Mâ vonë ai vijoi liceun «Illyricum», nji votër e madhe e nji punishte e papame për kombin tonë, prej kah dolën trajta të reja njerzish, të formuem me ideale atdhetare e me moral të naltë, gjâ që, shumë prej tyne do t’i ndihmonte me përballue me nder e pa u thye sprovat e randa që diktatura komuniste e urrejtja shumëshekullore do të derdhte me terbim.

Profesorat e këtij liceu ishin fretnit e mëdhaj tue fillue prej poetit tonë kombëtar: Gjergj Fishtës, tue vazhdue me filozofín e hollë e të kthiellt: P. Anton Harapin, me lirikun e ipeshkvin e ardhshëm: P. Vinçenc Prennushin e tue vijue me rradhë: P. Marin Sirdani, P. Ambroz Marlaskaj, P. Pashk Bardhi etj.

Në 1933 P. Danjeli mbaroi noviciatin e mbas tri vjetsh kreu liceun me vlersime të nalta, gja që bâni të parët e tij me e dërgue për studime në Siena të Italisë. Në Siena ai do të qindronte deri në vjetin 1939, kur u shugurue meshtar me 25 korrik e tha meshën e parë. Vjetin tjetër P. Danjeli u dërgue në Fulda të Gjermanisë, ku studjoi deri në 1940. Dëshira i tij ishte me i shërbye provincës së tij e popullit të krishtenë e për ketë arsye u kthye në atdhe, n’ato çasa tragjike kur lufta vllavrasëse sapo kishte fillue.

Pak mbas marrjes së pushtetit prej komunistave, si pasojë edhe të terrorit që u zhgreh anekand vendit, P. Danjeli shkoi famullitar në Plan, ku vazhdonte me qenë në shenjestër të pushtetarëve të rij .Miqtë e tij bashkëfshatarë, nacionalista të vendosun, e ndihmuen me kalue kufinin në vjetin 1948 tue e përcjellë në Jugosllavinë e Titos. Kaloi kufinin së bashku me 36 vetë të tjerë, të prîmë prej Nik Sokolit e Gjon Dostanishës, e ndër të tjerë bajshin pjesë n’atë grup edhe shkrimtari i ardhshëm Martin Camaj e rapsodi i maleve Gjergj Pllumi.

Nuk pranoi me bashkëpunue me UDB-në për ketë arsye u dërgue së parit me punue në hekurudhë në Barashumanoviq e mandej asistent i inxhenjerit gjerman Vogel, rob luftet, në Fushë të Zezë afër Podgoricet. Kaloi në Herzegnovi e Surdulicë e mandej ju bâ e mujtun me ushtrue mësuesín në katundin e Preshevës. Në Preshevë, mësues Marku u bâ fort i dashtun me të gjitha familjet myslimane shqiptare që e mbajshin si vëlla të vetin, para të cilit, në shêj nderimi e respekti, nuk i mëshehshin gratë.

Në 1955, i ndihmuem prej Ernest Koliqit, mujti me kalue në Italí e me u vendos në Toskanë. Në ketë kohë komiteti «Shqipnija e Lirë» e ngarkoi me ribotue kryevepren e Fishtës, «Lahuten e Malcís». P. Danjeli kujdesoi botimin e kësaj vepre, që si pak të tjera âsht shtyp mrekullisht pa gabime. Shtypajt i korrigjonte së bashku me të ndyerin Petro Vuçani, korrektorin i vemendshëm e të censhëm të «Shêjzave».

«Lahuta» doli prej shtypit në 1958 e pati nji shtampë të dytë në 1989.

Në ato vite P. Danjeli bashkëpunoi dendun me dom Zef Shestanin në programin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Lutja e fjala e ngohtë që Selija e Shêjt shqiptonte nepërmjet tij për besimtarët katolik të Shqipnisë, u bânë shumë të dashtuna për familjet shqiptare, të cilat mëshehtas ndigjojshin nji zâ shpreset e ndihmet shpirtnore.

Ndërkaq ai bashkëpunon edhe me E. Koliqin, tue shkrue artikuj në revisten «Shêjzat» e tue mbajtë konferenca anekand Italisë e deri në SHBA, në favor të lirisë së popullit shqiptar që po shtypej barbarisht prej zgjedhës komuniste. Kjo gjâ shqetsonte shumë qeverinë e Tiranës, e cila kërkoi edhe me e zhdukë fizikisht me anën e agjentave të saj.

Por frati i maleve, tashti i vendosun në Qytetin e Amshuem, nuk u tremb e nuk u shtang, por vazhdoi punen e vet për të mirën e kombit e të fesë. Në 1958 botoi nji vepër fort të rrallë për kah pikëpamja e vrojtimit psikologjik dhe e vërtetesisë historike e etnografike: “Andrra e Prêtashit», autor së cilës âsht P. Anton Harapi. Kurse në 1994 botoi në Romë «Valë mbi valë», tjetër vepër e martirit P. Anton Harapi. Ndërkohë kishin pa dritën e botimit edhe vepra të tijat origjinale kryesisht tue trajtue argumenta të jetës malcore e figura reale të atij ambient. Kështu ai botoi veprat «Prel Tuli i Salcës» (Romë, 1988), «Mehmet Shpendi dhe Mark Sadiku i Shalës» (Romë, 1996), «Te del Kiri» (Shkodër, 2000) dhe la ne dorëshkrim nji vepër shumë të interesantshme me titull: «Dikur në Dukagjin».

Në 1992 botoi nji punim, për të cilin kishte punue, tue mbledhe landë e tue e latue, tanë jetën e vet. Bahet fjalë për «Jetën e veprën» e Gjergj Fishtës, nji monografí komplete e shkrueme me njohunín e dëshmitarit syjorë e me zotsín e studjuesit të vërtetë, me dashnín e françeskanit e me ndjenjat e dishepullit. Kjo vepër âsht sot për sot nji ndër të vetmet që ka historija e letërsisë tonë përmbi atë që âsht prîsi i saj i pashoq.

Ai vetë, në ketë gjysë shekulli që jetoi në Perëndim, së bashku me dy fretën tjerë shqiptarë, Prof. Jakob Marlekajn në Bari e Dr. Paulin Margjokajn në Vjenë, mblodhën libra, dorëshkrime, dokumenta tue formue rishtas atë që u bâ bërthama e bâshme e bibliotekës së ré françeskane në Gjuhadol. Ky âsht misioni i fretënve, ata janë kenë e janë: ndër mâ punëtorët, q* duen me zhdrivillue jeten e shoqnueshme të komit, siç vërente Faik Konica në 1914.

Ka pesë vjet tashma që At Danjel Gjeçaj prehet në tokën e vet, bri asaj palme martirësh prej së cilës ai s’u nda asnji prej çasteve të jetës së vet.

Tue folë për P. Martin Gjokën, dom Lazër Shantoja ka shkrue do rreshta që mundena me ia mveshë pa zori P. Danjelit tonë: “E kaloi jetën – bujar me gjak e me shpirt – pa bujë. Nji fytyrë e qeshun, e ambël, e përvujtë: françeskane në tanë kuptimin e fjalës. Janë fytyra të tilla që i apin gjallní të shenjët atmosferës typike të heshtjevet kuvendore. Janë këto fytyra të qeshuna, të paqta e të pa-hile, që na bâjnë të bukur e të lakmueshëm kuvendin”.

Share this post


Link to post
Share on other sites

Join the conversation

You can post now and register later. If you have an account, sign in now to post with your account.

Guest
Reply to this topic...

×   Pasted as rich text.   Paste as plain text instead

  Only 75 emoji are allowed.

×   Your link has been automatically embedded.   Display as a link instead

×   Your previous content has been restored.   Clear editor

×   You cannot paste images directly. Upload or insert images from URL.

Loading...
Sign in to follow this  

×
×
  • Create New...