Llogaria ime
AOL Portal Lajme
Tensionohet situata nė Maqedoni/ Gjakoset Zoran Zaev, pretendenti pėr kryeministėr

Zgjedhja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi me votat e shumicës së re parlamentare në Maqedoni është shoqëruar me trazira dhe një situatë tejet të tensionuar në ambientet jashtë dhe brenda Kuvendit.

Nga raportimet e para të medieve në Maqedoni, udhëheqësi i LSDM-së Zoran Zaev është parë i gjakosur, ndërkohë që të gjithë deputetët janë mbledhur në pjesën e sipërme në sallën e konferencave, për t’i shpëtuar përplasjeve të mundshme me protestues nacionalistë të VMRO-DPMNE-së. Të dhunuar kanë mbetur edhe shumë gazetarë.

Në kuadër të situatës së tensionuar kreu i ri i Parlamentit, Xhaferi ka bërë thirrje për të mos u përfshirë nga paniku.

Ndërkohë, në një konferencë të shkurtër për mediet, ambasadori i Suedisë në Maqedoni, i cili foli në emër të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bëri thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe të mos ushtrojnë akte dhune ndaj përfaqësuesve të popullit të zgjedhur me votë të lirë.

“Palët të tërhiqen nga akte të dhunshme dhe nga retorika që mund ta përkeqësojnë situatën. Tashmë është përgjegjësi e policisë vendase që të ndërmarrë të gjitha masat për të mos lejuar degradimin e situatës. Në këtë moment lipset më shumë dialog mes palëve”, tha ambasadori suedez në Maqedoni.

Talat Xhaferi zgjidhet kryeparlamentar

Maqedonia ka më në fund një kryetar të ri të Parlamentit. Ai është Talat Xhaferi dhe është zgjedhur me votat e shumicës së re parlamentare, të përbërë nga LSDM-ja e Zoran Zaevit, BDI-ja e Ali Ahmetit dhe “Aleanca për shqiptarët”.

“Të nderuar deputetë, për herë të parë në të tilla kushte zgjidhet kryetari i Kuvendit. Ju premtoj se do të jem kryetar i Kuvendit e do të punoj në bazë të Kushtetutës. Unë nuk do të lejoj uzurpim të Kuvendit. Ju falënderoj për nderin dhe besimin që patët ndaj meje”, tha Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

I pari që i ka uruar detyrën e re ka qenë vet kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërkohë, deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokuan udhëheqësin e seancës konstituive, Trajko Veljanovski, i cili mbylli diskutimin në orën 18 dhe caktoi vazhdimin e seancës ditën e premte në orën 11.

Por shumica e re parlamentare nuk u largua nga salla e Kuvendit, duke i kërkuar Veljanovskit të vendosë në votim propozimin për kryetar të Kuvendit. Edhe pse deputetët e VMRO-së rrethuan ish-kreun e Parlamentit, ata të LSDM-së bërtisnin në kor “Trajko, duhet të shkosh në shtëpi”. Një pjesë e deputetëve i kërkuan deputetit më të vjetër të sallës, Branko Manjalovski që të ulej në vendin e Veljanovskit.

Në sallë ishte i pranishëm Zaev, por jo Gruevski dhe Ahmeti.

Menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, protestuesit e VMRO-DPMNE-së kanë hyrë në Kuvend, ndërsa protesta antishqiptare kanë shpërthyer edhe jashtë ndërtesës së Parlamentit.

Last updated 3 mins ago

Ska sondazhe aktive!