Llogaria ime
AOL Portal Lajme
Merr fund bashkėqeverisja mes PDK dhe LDK, Kosova nė zgjedhje me 18 qershor

Partia Demokratike e Kosovës i dha fund koalicionit qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas 3 vitesh bashkëqeverisjeje.

Me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi mocionin e mosbesimit për Qeverinë “Mustafa”, prodhim i një krize paszgjedhore të vitit 2014.

Pas rrëzimit pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat edhe në Kosovë mund të mbahen më 18 qershor.

Marrëveshja e vitit 2014, që parashikonte Mustafën kryeministër dhe Thaçin president, ishte arritur në fund të 6 muajve bllokimi institucional, pasi si kryetar i LDK-së ai kishte bashkuar votat me dy partitë e tjera në opozië për të penguar mandatimin e Thaçit sërish kryeministër.

Në këmbim mori postin e kryetarit të Kuvendit, zgjedhje që u konsiderua më pas antikushtetuese. Kriza u zgjidh në fundvitin e 2014-s me ndërhyrjen e ndërkombëtareve.

Që nga ajo kohë, LDK dhe PDK, për herë të dytë në Kosovën e pasluftës qeverisën së bashku, normalisht deri në vitin 2016, kur Thaçi u zgjodh president. Me ardhjen e Kadri Veselit në krye të PDK-së, situata ndryshoi.

Gjithnjë e më shumë u përvijua rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme, jo vetëm se kreu i ri i ish-partisë së Thaçit prej disa muajsh ka nisur një turne nëpër Kosovë, por edhe me krizat e prodhuara nga shënimi i vijës së kufirit me Malin e Zi dhe shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Mustafa: PDK i shërbeu klientelës së krimit dhe korrupsionit

Kryeministri në ikje i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se qeveria e vendit ra për shkak të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

“Kjo qeveri ia vuri laurën krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Kam qenë i vetëdijshëm se PDK dhe klientela e korruptuar nuk e përballon këtë”, ka deklaruar Mustafa.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Mustafa ka theksuar se, “kemi penguar degradimin e shtetit dhe do ta çlirojmë nga kthetrat e krimit!”.

Last updated 3 mins ago

Ska sondazhe aktive!