Llogaria ime
AOL Portal Lajme
Kina i druhet njė konflikti mes SHBA-ve dhe Koresė sė Veriut

Kina ka paralajmëruar këtë të premte se një konflikt i mundshëm mund të nisë nga momenti në moment, teksa tensionet mbi aktivitetet e ndaluara të Koresë së Veriut janë rritur së tepërmi.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi tha se, nëse do të ketë luftë, me siguri nuk do të ketë të fituar.

Komentet e Wang vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në rritje ndaj zhvillimit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut, e së fundi ka dërguar edhe një grup goditës të Marinës amerikane në gadishullin korean.

Kina, e vetmja mbështetëse e vendit të izoluar komunist, i druhet faktit se një konflikt i mundshëm mund të shkaktojë rënien e regjimit në Kore dhe probleme në kufirin mes dy vendeve.

“Mendoj se shumëkush mund të ketë ndjenjën se konflikti mund të shpërthejë nga momenti në moment. Mendoj se të gjitha palët duhet të jenë tejet vigjilente në lidhje me këtë situatë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen nga provokimi apo kërcënimi i njëri-tjetrit, qoftë me fjalë apo me veprime, e të mos lejojnë që situata të shkojë në një fazë të pakthyeshme dhe të pamenaxhueshme”, tha ministri Wang.

Duke shtuar edhe më shumë shqetësimin e Kinës, presidenti Donald Trump tha të enjten se “do të kujdesemi për problemin e Koresë së Veriut”.

“Nëse Kina vendos të ndihmojë, kjo do të ishte diçka e madhe. Nëse jo, ne do ta zgjidhim problemin pa ata!”, shkroi Trump duke e mbyllur postimin e tij me akronimin e Shteteve të Bashkuara “U.S.A.”.

Ushtria koreano-veriore u kundërpërgjigj të premten me fjalët se “do të zmbrapsë në mënyrë të pamëshirshme” çdo provokim të Shteteve të Bashkuara.

“Kundërpërgjigjja jonë më e ashpër kundër Amerikës dhe forcave të saj detare do të vijë në një mënyrë të pamëshirshme, saqë nuk do të lejojmë që agresori të mund të mbijetojë”, lexohet në deklaratën e ushtrisë të publikuar në anglisht nga agjencia zyrtare e lajmeve “KCNA”.

Presidenti amerikan ka demonstruar së fundi dëshirën dhe gatishmërinë për të përdorur metodat ushtarake.

Ai urdhëroi sulmin me raketa ndaj Sirisë, si raprezalje e një sulmi me armë kimike ndaj civilëve nga forcat e Bashar al-Assadit, ndërkohë që vetëm një ditë më parë përdorën bombën më të fuqishme jobërthamore ndaj Shtetit Islamik në Afganistan.

Uashingtoni është i shqetësuar se Koreja e Veriut mund të zhvillojë kapacitetet për të lëshuar një armë bërthamore që do të prekte territorin amerikan.

Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë qenë në kontakte të vazhdueshme telefonike që prej takimit të javës së kaluar në Florida mes tyre, ndërsa “Reuters” citon disa zyrtarë amerikanë se po konsiderohen edhe sanksione më të rënda ekonomike ndaj Koresë së Veriut.

Penniani kërcënon SHBA

Koreja e Veriut ka paralajmëruar të Premten se do të godasë bazat amerikane në Japoni dhe Kore të Jugut si dhe presidencën në Seul nëse Amerika sulmon Phenianin.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA tha Ushtria e Koresë së Veriut premtoi se do të “shkatërrojë pa mëshirë” SHBA-të nëse aeroplanmbajtësja dhe luftanijet amerikanë që janë nisur për në rajon do të nisin agresionin ndaj vendit të tyre.

Ushtria tha në një komunikatë se “kundërpërgjigja jonë kundër SHBA-ve dhe vasalëve të tyre do të jetë kaq e pamëshirshme saqë s’do u japë mundësi mbijetese.”

Të Premten, Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi paralajmëroi se tensionet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut ishin përshkallëzuar deri në një pikë të tillë që “konflikti ushtarak mund të nisë çdo moment”.

Më herët, Koreja e Jugut paralajmëroi Veriun të mos përfshihej në asnjë “provokim” të tillë si teste bërthamore apo raketrore, për të shënuar “Ditën e Diellit”, 105-vjetorin e lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, ditë e cila do të shënohet të shtunën.

Last updated 3 mins ago

Ska sondazhe aktive!