Përgjimi / Beqja shkarkon zyrtarin e shëndetësisë, nuk shkoi në mbledhjen e PS
Përgjimi / Beqja shkarkon zyrtarin e shëndetësisë, nuk shkoi në mbledhjen e PS
Publikuar me: 16 Nen 2016

Emisioni investigativ “STOP”, ka denoncuar mbrëmjen e sotme, një regjistrim audio mes ministrit Ilir Beqaj dhe ish-drejtorit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, Çlirim Hadarmataj.

Nga denoncimi i z.Hadarmataj, mësohet, se ai është pushuar nga puna pasi nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e partisë socialiste, Asamblesë së zgjeruar, të thirrur nga ministri Beqaj në Tropojë.

Historia nis në datën 31 Tetor 2016, ku në qytetin e Tropojës është zhvilluar një mbledhje asambleje e Partisë Socialiste dhe i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Gjatë kësaj mbledhje, për arsye personale nuk ka qenë i pranishëm Çlirim Hajdarmataj, Kryetar i degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Tropojës.

Por kjo mos prezencë i ka kushtuar jo pak Hajdarmatajt, pasi disa ditë më vonë, pikërisht në datën 7 Nëntor 2016, pas një urdhëri të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, z. Hajdarmataj është hequr nga puna.

Ish-drejtori Hadarmataj, bën me dije, se ky pushim nga puna është realizuar pa asnjë vërejtje apo masë disiplinore të ardhur kundrejt tij nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai vendosi t’i drejtohej emisionit “STOP” për të treguar publikisht këtë rast absurd të largimit nga puna.

Për të vërtetuar pretendimet e tij, Hajdarmataj ka realizuar një audiopërgjim në telefon me ministrin e Shëndetësisë Beqaj.

Ky i fundit pasi i kërkon llogari Hajdarmatajt për mosardhjen në Asamblenë e Partisë, i nënkupton ati largimin nga puna.

Audiopërgjimi
Drejtori– Alo!

Ministri – Alo!

Drejtori – Po. Përshëndetje!

Ministri – …… ?

Drejtori – Po.

Ministri – Unë jam Ilir Beqaj.

Drejtori – Po. Po ministër!

Ministri – Pse s’erdhe sot në mbledhje në 10 e gjys?

Drejtori – Si?

Ministri – Nga ora 10 e gjys, pse nuk erdhe në mbledhje të Asamblesë të zgjeruar?

Drejtori – Nuk erdha në mbledhje të Asamblesë?

Ministri – Po.

Drejtori – Nuk mujta me ardh, pata probleme.

Ministri – Pse? Pse s’erdhe?

Drejtori – Pata arsye të miat, personale.

Ministri – Pse nuk më njoftove para mbledhjes, që nuk vij dot?

Drejtori – Si?

Ministri – Pse nuk më njoftove mua para mbledhjes, që nuk vij dot në mbledhje?

Drejtori – Po nuk kisha ndonjë pikë kontakti me juve z.ministër. Nuk më keni njoftue.

Ministri – Nuk e ndjeje, që duhet të vije sot në mbledhjen e Asamblesë?

Drejtori – Po nuk ë… Nuk kisha mundësi, që të tregoja ty. Mu më ka njoftue ish-kryetari, që ka qenë ……………. dhe ato i kam njoftu, që s’vij.

Ministri – Po pse më gënjen mu? Pse s’më njoftove që s’vij?

Drejtori – Po si të të njoftoj unë ty? Se s’kisha si të njoftoj. Për car me të njoftue?

Ministri – Si jo? Jam i delegumi. Ti e di, që jam i delegumi i partisë.

Drejtori – E di. E di unë, që je i delegumi, po s’kisha si të njoftoj.

Ministri – Po pra!

Drejtori – Ti nuk më njoftove.

Ministri -……..

Drejtori – Ti z.ministër nuk më njoftove për mbledhje! Nuk e mendova, që mund të njoftoja ty.

Ministri – Mirë, dakord. Hajde! Të uroj suksese në jetë atëhere!

Drejtori – Z. ministër!

Ministri – Urdhëro!

Drejtori – Po, ne jemi bashkë për një qëllim, për Partinë Socialiste?

Ministri – Unë po të them, të uroj suksese në jetë!

Drejtori – Si në jetë o? C’a është kjo? Se s’e kuptoj për c’a po më thu kështu?

Ministri – Kuptoje si të dush!

Drejtori – Si kuptoje si të dush ? O z.ministër…

Ministri – Si të dush. Si të dush.

Drejtori – Z.Ministër, ne jemi njerëz të sakrificës, që ia kemi bo 8 vjet mundin të Partisë Socialiste në Tropojë.

Ministri – Je…

Drejtori – Në kushte të Sali Berishës z. ministër.

Ministri – Je njeri i përgjegjshëm, e kupton.

Drejtori – Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe jam njeri shumë me parime. Jam njeri shumë I drejtë, por ia kemi bo mundin e djersën Partisë Socialiste. Dhe jo me ardh njerëz, njerëz, që na kanë sulmu me armë. Na kanë sulmu me armë në kohën e… kur kemi qenë ne në pushtet në 2000. Dhe janë dhe të filmume z.Ministër.

Ministri – Po ta përsëris, të uroj suksese në jetë!

Drejtori – Z. Ministër, po nuk është…, nuk po më vjen mirë me ma thanë, se ne jemi bashkë për një qëllim.

Ministri – Kurse mu më vjen shumë më keq, që ti s’ke njoftu, që s’vjen dot në mbledhje.

Drejtori – Une të kam njoftu. Të kam hy në zyrë edhe të kam than dhe ta kam cu dhe e-mailin. Dhe firmën e katërdhet (40) personave.

Ministri – Dhe unë të kam thon, më vjen shumë keq, që pse s’më njoftove, që s’vij dot në mbledhje.

Drejtori – Po une të kam thanë mo, ta kemi cu e-mailin. Unë të kam taku, unë jam shumë serioz mo burrë. Unë të kam ardh, të kam taku në zyrë o z.ministër. Unë të kam sqarue z. Ministër, të kam sqarue, të kam ardh në zyrë.

Ministri – Unë për fatin tënd të keq, për fatin tënd të keq…

Drejtori – Po, po. Alo!

Ministri – Unë për fatin tënd të keq kam dy marrëdhënie me ty: edhe i delegum edhe ministri. Apo jo? Për shumicën e njerëzve jam thjesht si i delegum, për ty jam dhe ministër.

Drejtori – Po je dhe ministër dhe unë të respektoj 100% dhe Partinë Socialiste nuk e devijoj asnjë minutë, Partinë Socialiste.

Ministri – Po të më respektoje mu…

Drejtori – As statusin. Unë të repektoj ty dhe të kam ardh të kam kërkue. T’u kam lut njëherë si njeri, t’u kam lut si anëtar partie.

Ministri – Edhe njëherë, mund të më thoje për arsye, që s’ti them dot, sot nuk vij dot. Kaq doja prej teje unë. Nuk vij dot.

Drejtori – Nuk e pava të arsyeshme, se do të kisha njoftu. Unë të kam ardh, të kam… në zyrë.

Ministri – A, pikërisht!

Drejtori – Unë ta kam cu e-mailin e arsyes që…

Ministri – Pikërisht pra, m.q.s. e thu vetë, që nuk e shef të arsyeshme, duket se gënjen. Hajde mirupafshim!
************
Çlirim Hajdarmataj u flak në rrugë për të vetmen arsye pse nuk ishte i pranishëm në një mbledhje partie, në qytetin e Tropojës.

Pas kësaj që ndodhi u detyrua të largohej në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ai është kryefamiljar dhe e vetmja zgjidhje për të ishte të largohej nga ky vend.

Burimi: panorama.com.al Editor: Redaksia Online Lexuar 623 here

Tags:
Imazhe nga Artikulli


Video nga Artikulli

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI: